Besmir Bojku: T’i kryejmë detyrat tona dhe të shkruajmë histori me klubin e qytetit tonë

Dy momente të humbjes së koncentrimit në ndeshjen me Zhalgiris, sipas Besmir Bojkut, mesfushorit të FC Struga Trim Lum, sollën humbjen në rrethin e parë kualifikues të Ligës së Kampionëve.

Një ditë para ndeshjes së radhës, përballë Buduçnost Podgorica, Bojku shprehet i vendosur, por edhe me këmbë në tokë. Numri 10 i skuadrës strugane kërkon koncentrim maksimal nga bashkëlojtarët.

“U përballëm me një kundërshtar shumë të fortë dhe me ekperiencë shumë të madhe si Zhalgiris, që është kampion i dhjetëfishtë në Lituani. Sigurisht ndeshjet i analizojmë gjithmonë edhe në humbje edhe në fitore. Mendoj se ndeshjen e humbëm nga dy momente moskoncentrimi”, – u shpreh Besmir Bojku.

Megjithatë, siç thotë Bojku, lojtarët janë të koncentruar maksimalisht në ndeshjen e nesërme, duke besuar fortë në fitore dhe kualifikim në fazën tjetër. Edhe shorti, sipas tij, e favorizon ekipin strugan për raundin e ardhshëm në rast kualifikimi.

“Gjatë këtyre ditëve jemi përgatitur shumë dhe e kemi analizuar në detaje edhe kundërshtarin. E dimë se më kë përballemi. Mendoj se në këto nivele nuk ka kundërshtar të lehtë sepse të gjithë janë kampionë në vendet e tyre. Lajm i mire ishte shorti për fazën e tretë, i cili mund të ishte edhe më i vështirë për ne, por siç duket patëm pak fat. Megjithatë, ne duhet t’i bëjmë detyrat tona sepse ashtu si ne edhe kundërshtarët përgatiten”, thotë Bojku.

Bojku bën thirrje për gjithë futbolldashësit struganë që nesër të jenë në shkallët e stadiumit, për t’u bërë edhe ata pjesë e një suksesi historik për klubin dhe qytetin.

“I ftoj të gjithë struganët që të na mbështesin pasi kemi mundësi të artë për të shkruar histori me klubin e qytetit të lindjes. Këto momente mbahen mend për shumë vite”, përfundoi Besmir Bojku.

Ndeshja mes FC Struga Trim Lum dhe Buduçnost Podgorica do të luhet të mërkurën prej orës 17:00 në stadiumin e qytetit në Ohër.

Biletat mund ti gjeni online në platformën në karti.com.mk ose në “Empire Lounge” në Strugë.

Leave a Reply