Sot në Kampin Nacional në Hajvali ka filluar Kampi pesëditor me futbollistët nga Diaspora në grupmoshat U15, U16 dhe U17. Në hapje të këtij kampi mirëseardhje të gjithë futbollistëve u shprehu presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi.
Ai vuri në pah rëndësinë e grumbullimeve të tilla dhe u shpreh i lumtur që talentet jashtë vendit e kanë pranuar ftesën për të qenë pjesë e projektit të Kosovës.
Një ndër futbollistët e ftuar në këtë kamp, është edhe talenti i FC Shkupit, Riol Hasani, që bënë pjesë e grupmoshat e U17, që udhëhiqen nga strategu i mirënjohur kosovar, Arbnor Morina.
Hasani luan si mesfushor ofenziv, ndërsa edicionin që lamë pas me gjeneratën 2007 të FC Shkupit zhvilloi 25 ndeshje, duke realizuar edhe 6 gola.
Ndryshe, Hasani gjatë karrierës së tij ka luajtur edhe në futbollin kosovar me ekipin e 2 Korrikut dhe Gjilanit.
Federata e Futbollit të Kosovës që përmes kampeve të tilla po synon në periudhën e verës kur shumë familje nga Diaspora ndodhen për pushime në vendlindje t’i japë mundësi të gjitha talenteve jashtë vendit që ta shfaqin potencialin e tyre para trajnerëve të kombëtareve zinxhir, në mënyrë që në të ardhmen të jenë pjesë e rëndësishme e sukseseve të kombëtares dardane. Shpresojmë që edhe Hasani të lë përshtypje të mirë para trajnerëve, me qëllim që Morina të llogaris në shërbimet e tij edhe për ndeshjet kualifikuese të përfaqësueses së Kosovës U17. (infOSport.mk)