Reshat Ramadani, një ndër talentët më të mëdhenj në futbollin tonë vendor, i cili gjatë marsit të këtij viti iu bashkua skuadrës gjigande të Dinamo Kiev, gjatë ditës së sotme ka realizuar golin debutues me fanellën e skuadrës së madhe ukrainase, njofton “infOSport.mk”.
Ramadani realizoi golin e fundit në fitoren 6:1 ndaj ekipit të Rudar nga Sllovenia. Kjo ndeshje u zhvillua në tre pjesë me nga 40 minuta, ndërsa Ramadanin golin e parë me fanellën e Dinamo Kiev e realizoi në minutën e 117-të.
Tipik si një qendërmbrojtës, Ramadani shënoi një gol të bukur me kokë, pas harkimit në zonën kundërshtare nga rivënia e këndit.
Me këtë gol, Ramadani paralajmëron një pranverë të mirë te Dinamo Kiev, aty ku trajner ka legjendën rumune, Mirçea Luçesku. Ky i fundit insiston që Ramadani të mbetet pjesë e ekipit sezonin e ri, pavarësisht se në adresë të Dinamo Kiev kanë ardhur oferta për huazimin e mbrojtësit 20-vjeçar nga Zvicra dhe Bundesliga II. (infOSport.mk)