Milani ka arritur një marrëveshje përfundimtare me Viljarrealin për Samuel Chukwueze, i cili tani mund t’i bashkohet zyrtarisht “kuqezinjëve” në ditët në vijim. Kështu ka raportuar “La Gazzetta dello Sport” këtë të shtunë.
Milani thuhet se ka rënë dakord të paguajë një paketë totale prej 28 milionë eurosh për sulmuesin nigerian, prej tyre 8 milionë në formë të bonuseve.
Chukwueze do të nënshkruajë një kontratë katër-vjeçare, të vlefshme deri në verën e vitit 2027, pasi ka rënë dakord tashmë për kushtet personale.
Aktualisht, 24-vjeçari ka vetëm një vit të mbetur në kontratën e tij me Viljarrealin, prandaj ata janë të gatshëm të përfitojnë nga ai këtë verë në vend që ta lënë atë të largohet falas vitin tjetër.
Zyrtarizimi i tij te “Rossonerët” besohet se do të ndodhë këtë fundjavë, ose më së largu të hënën.
Milani shpreson që Chukwueze do të jetë në gjendje t’i bashkohet Stefano Piolit dhe pjesës tjetër të skuadrës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të marrë pjesë në turneun para-sezonal.