Skuadra shqiptare e Egnatias është eliminuar që në turin e parë të Ligës së Konferencës nga armenët e Ararat në një ndeshje të çmendur, që pas 120 minutave lojë ishte mbyllur me shifrat 4:4, njofton “infOSport.mk”.
Edhe pse skuadra nga Rrogozhina plotë tre herë ishte në avantazh në këtë ndeshje, si në kohën e rregullt, ashtu edhe në vazhdimet prej dy herë nga 15 minuta, në fund u ndëshkua nga kundërshtari.
Sa i përket ndeshjes, Fernando i dha avantazhin skuadrës së Edlir Tetovës në minutën e 3-të, por Eza barazoi shifrat në minutën e 17-të.
Në minutën e 36-të ishte Kasa që i dha sërish epërsinë skuadrës së Egnatias, që në pushim shkoi me epërsinë prej një goli (2:1).
Pjesa e dytë nisi me miqtë më kërkues, që gjetën edhe golin me Castanheira në minutën e 58-të.
Koha e rregullt nuk prodhoi fitues dhe skuadrat iu drejtuan shtesave, aty ku përsëri ishte Egnatia që kaloi në avantazh falë golit të shënuar nga Dëamena në minutën e 109-të, por gëzimi i rrogozhinasve zgjati shumë pak, pasi armenët përmbysën gjithçka në 3 minuta falë golave të shënuar nga Jene (110’) dhe Bueno (113’).
Ishte përsëri Dëamena (120+4’), që shënoi në frymën e fundit, duke e çuar ndeshjen te penalltitë, aty ku gabimet e Zejnullait dhe Kacbufit dënuan ekipin rrogozhinas, i cili doli kësisoj nga Europa duke mos arritur të kalonte në turin tjetër, edhe pse i shkoi shumë pranë që në edicionin e debutimit.
Megjithatë edhe përkundër këtij eliminimi, skuadra e Egnatias përfitoi shumë simpati në mesin e tifozëve të vërtetë të futbollit. (infOSport.mk)