Debutimi i Lionel Mesit në futbollin amerikan ka sjellë një interes të jashtëzakonshëm përtej Atlantikut për një sport i cili nuk është ngjitur ende në lartësinë e atyre tradicionalëve në SHBA.
Ylli i ri i Inter Majemit, pritet të debutojë këtë fundjavë me skuadrën e tij, në ndeshjen e Liga Kupës ndaj meksikanëve të Kruz Azul.
Dhe që nga momenti kur u mësua se Messi mund të debutojë në këtë ndeshje, ka nisur një garë e çmendur për biletat e sfidës.
Të gjithë duan të shohin Messin në veprim, dhe për këtë arsye biletat kanë arritur çmime stratosferike.
Në faqen e klubit, biletat për ndeshjen nisin nga rreth 245 euro më ekonomikja, deri në më shumë se 1000 euro për ato të tribunave VIP.
Mediat amerikane raportojnë se këto bileta po shiten me çmime të frikshme në tregun e zi, pasi kanë arritur deri në 22 mijë euro.
Efekti Messi është i dukshëm. Mjafton të shohësh që tashmë Inter Majemi ka rreth 8 milionë ndjekës në Instagram, gjashtëfishin e numrit që kishte para firmës me yllin argjentinas.