FC Shkupi nesër në arenën “Todor Proeski” në Shkup do të zhvillojë ndeshjen kthyese në kuadër të raundit të parë kualifikues të Ligës së Konferencës përballë lituanezëve të FC Hegelman.
Bazuar në rezultatin e ndeshjes së parë, 5:0 në favor të skuadrës tonë përfaqësuese, udhëtuesi për në raundin e dytë thuajse është i njohur, mirëpo trajneri i “pëllumbave” nga Çairi, Xhihat Arslan, në konferencën për shtyp para mediave, foli si një profesionistë i vërtetë, duke theksuar se skuadra e tij do të respektojë në maksimum kundërshtarin, pavarësisht rezultatit nga ndeshja e parë.
“Ndeshjen e parë e kemi fituar me rezultat 5-0, ishte një rezultat i mrekullueshëm ku Cephas shkëlqeu. Kishim pak vështirësi gjatë kthimit, pasi që ishte një udhëtim i gjatë dhe sigurisht se ishim pak të lodhur, andaj gjatë kësaj kohe kishim rikuperim të mirë dhe kështu tani jemi gati për ndeshjen e kthimit. Si e para, unë nuk dua që të bëjë mbledhje me lojtarët, por dje isha i detyruar që të kem një të tillë, pasi që kjo është një ngjarje shumë e rëndësishme, pa marrë parasysh se çfarë rezultati kishim në ndeshjen e parë, duhet të jemi të jemi të koncentruar. Por e pash se lojtarët ishin pak sa të liruar, kështu që dje isha i detyruar të mbaj një mbledhje. Edhe një herë po e përsëris se kjo është një ngjarje me rëndësi dhe ne duhet të marrim rezultatin më të mirë të mundshëm edhe në ndeshjen e kthimit, me seriozitet dhe disiplinë. Duhet të respektojmë kundërshtarin, pa marrë parasysh rezultatin e ndeshjes së parë, ne duhet të marrim rezultat të mirë edhe në ndeshjen e kthimit, por dua të them se do të jetë ndeshje shumë më e vështirë se sa e para”, – u shpreh trajneri i FC Shkupit, Xhihat Arslan.
Bashkë me trajnerin Arslan në konferencën për shtyp nga tabori i FC Shkupit, foli edhe heroi i takimit të parë, Renaldo Cephas, i cili kishte realizuar 4 gola nga gjithsej 5.
“Sa i përket ndeshjes së nesërme, të gjithë lojtarët janë përgatitur për këtë përballje. Jemi përgatitur gjatë gjithë javës, jo vetëm fizikisht por edhe mentalisht. E dimë se kemi një rezultat të lartë, por ndeshja ende nuk ka përfunduar. Nesër duhet të futemi në lojë sikurse të jetë rezultati 0-0”, u shpreh Cephas.
Ndeshja kthyese midis FC Shkupit dhe FC Hegelman zhvillohet nesër në arenën “Todor Proeski” në Shkup me fillim në ora 21.00, ndërsa ekipi që do të kualifikohet tutje, në raundin e ardhshëm do të takohet me Levskin e Sofjes. (infOSport.mk)