Opinionin e tyre pas përfundimit të ndeshjes kundër Zhalgiris, në të cilën skuadra e Struga Trim Lum pësoi disfatë 2:1, edhe përkundër avantazhit që kishte, e dhanë trajneri Shpëtim Duro dhe golashënuesi, Besart Ibraimi.
Që të dy ishin të mërzitur për këtë eliminim, pasi skuadra sipas tyre kishte treguar shumë që në të dyja ndeshjet, duke krijuar shumë raste.
“Sigurisht që na vjen shumë keq për atë se çfarë dhamë në të dyja ndeshjet. Në të dyja ndeshjet kam mendimin kemi bërë një paraqitje jashtëzakonisht pozitive, ndaj një skuadre kishte atë favor që pata thënë edhe para ndeshjes, si në eksperiencë, sin ë paraqitje, si në formë. Edhe sot paraqitja e skuadrës ka qenë jashtëzakonisht e mirë, kemi qenë gjithmonë në lojë, si me situate dhe raste si në pjesën e parë, ashtu edhe në të dytën, shënuam gol në momentin më të bukur, këtu ndoshta 2-3 minuta gaboi skuadra, sepse ishte ai moment që sa po doja të bëjë zëvendësimet dhe ndodhi ajo që ndodhi” – deklaroi trajneri Shpëtim Duro.
“Mendoj se i dominuam të dyja ndeshjet, ku patëm shumë raste, por fati nuk ishte me ne. Golin e shënova në moment shumë të mirë, tash ato 2-3 minuta që e pësuam golin, duheshe pak fat të kemi dhe most ë pranojmë gol dhe të kishte kohë të intervenonte edhe profesori. Mirëpo këto skena janë pjesë e futbollit, jemi të mërzitur, por kokën lartë, na pret ndeshje tjera” – u shpreh Besart Ibraimi.
Pas këtij eliminimi, Struga Trim Lum vazhdon garat në raundin e dytë të Ligës së Konferencës, aty ku do të përballet me ekipin malazez të Buduçnost. Ndeshjen e parë skuadra strugane do ta zhvillojë në terren vendas me datë 27 korrik.