Thomas Strakosha mund të bëjë lëvizjen e karrierës, teksa emri i tij lidhet me një transferim të mundshëm te Bajerni i Munihut. Kështu të paktën raporton “Sky Germany”, sipas të cilëve Bajerni i Munihut po shqyrton dy portierë të rinj për të luajtur si një opsion rezervë për Manuel Nojer.
Me Jan Somer pothuajse të larguar, drejtuesit “bavarez” kanë kërkuar të zëvendësojnë 34-vjeçarin, ndërsa si emra të mundshëm, përmenden ai i Thomas Strakoshës dhe Dominik Kotarskit.
Strakosha e kaloi sezonin e kaluar në Brentford, ku pati vështirësi për të gjetur një vend titullari, duke u paraqitur vetëm dy herë. Megjithatë, 28-vjeçari shqiptar kishte bërë emër te Lacio në Itali, para se të ishte në Londër, duke u paraqitur 208 herë, ndërsa kishte mbajtur 62 herë portën e paprekur.