Hismani: Kalimi i Nikollovit të Sønderjyske hapi i madh për karrierën e tij

Lajmi i paralajmëruar disa ditë më parë, sot konfirmohet nga klubi danez, Sønderjyske që zyrtarizon angazhimin e Ivan Nikollovit. Mesfushori 21 vjeçar nga Bregallnica e Shtipit transferohet në Danimarkë falë Mahi Hismanit, tetovarit me qëndrim në Kopenhagen. Hismani me bashkëpunëtorë mbyllën me sukses këtë “operacion” dhe Nikollov sot pasi kaloi testet mjekësore, hodhi firmën në kontratën 3 vjeçare me Sønderjyske.

Klubi danez me kënaqësi ka komunikuar angazhimin e reprezentuesit të përfaqësueses U21 të Maqedonisë së Veriut, duke shtuar se bashkojnë me Sefer Eminin një lojtar kualitativ që lidhet me kontratë deri verën e vitit 2026.

Drejtori sportiv i Sønderjyske, Esben Hansen dhe ndërmjetësuesi Mahi Hismani kanë folur për këtë transferim.

Me angazhimin e Ivan Nikollovit kemi gjetur mesfushor që punon fortë dhe ka sy të mirë për ndeshjen. Fakti që luan me Maqedoninë e Veriut U21 dhe ishte kapiten i ekipit të tij me vetëm 21 vjet, është tregues për cilësitë e tij si futbollist, por edhe si karakter”, thotë Esben Hansen.

Kalimi i Nikollovit të Sønderjyske është hap i madh për karrierën e tij. Jam i lumtur që kemi mbyllur me sukses këtë transferim dhe uroj që Nikollov të arsyetojë besimin. E kemi ndjekur dhe ka treguar në fushë së është djalë që vlen. Nëse gjithçka shkon si duhet, me përkushtimin e lojtarit, besoj se kjo lëvizje do ta ndihmojë të ecë larg në karrierë”, shprehet Mahi Hismani, ndërmjetësues i transferimit të Ivan Nikollovit nga Bregallnica, te Sønderjyske në Danimarkë.

Nikollovi në shoqërimin e Hismanit mëngjesin e sotëm mbërritën në klub, pas ekzaminimeve mjekësore lojtari firmosi kontratën, derisa menjëherë u bashkua me ekipin në seancat stërvitore.

Nikollov te Sønderjyske do ta mbajë fanellën me numrin 18.

Leave a Reply