Arslan nga Lituania: Do të japim maksimumin pavarësisht mungesave

Skuadra nënkampione e FC Shkupit, pasditën e sotme ka zhvilluar stërvitjen e vetme në tokën lituaneze, aty ku nesër kundër skuadrës së FC Hegelmann, do të zhvillojë ndeshjen e parë në kuadër të turit të parë të Ligës së Konferencës, njofton “infOSport.mk”.

Për këtë ndeshje trajneri Xhihat Arslan nuk do të mund të llogarisë në shërbimet e algjerianit, Valid Hamidi, i cili kishte probleme me vizën, mirëpo pavarësisht kësaj mungese shumë të rëndësishme, strategu turk thotë se në Lituani kanë udhëtuar për të nxjerrë një rezultat të mirë.

“Fillimisht të them se na pret një përballje e vështirë, para nesh kemi një ekip të sapoformuar, që ka arritur në garat evropiane, një ekip që dëshiron të jetë i suksesshëm në Evropë.  Ne jemi skuadër me një grup të rëndësishëm lojtarësh, duam të marrim rezultat të mirë në fushë, në mënyrën më të mirë të mundshme” u shpreh fillimisht Arslan, i cili foli gjithashtu edhe për mungesën e rëndësishme Valid Hamidi, i cili sipas tij nesër do të mungojë vetëm për shkak politikës.

Arslan: Politika të jetë larg sportit

“Valid Hamidi nuk kishte mundësi të vijë me ne për shkak që institucionet e nevojshme nuk i kanë dhënë vizë. Mendoj se politika duhet të jetë larg sportit.  Validi nuk është mes nesh këtu, na vjen keq për këtë. Mirëpo lojtarët që do të zgjedhim, do të mbulojnë vendin e Validit, ndërsa ne do të dalim në fushë për të fituar”, deklaroi  trajneri i FC Shkupit, Arslan.

Ndeshja ndërmjet FC Hegelmann dhe FC Shkupi luhet të enjten me fillim në ora 19:00 në qytetin e Kaunasit në stadiumin “Darius and Stasys Girenas”. (infOSport.mk)

Leave a Reply