Struga Trim Lum të martën përballë Zhalgiris zhvillon ndeshjen e raundit të parë kualifikues në kuadër të Ligës së Kampionëve. Është kjo ndeshja debutuese për skuadrën strugane në një kompeticion kaq të rëndësishëm europian, në prag të të cilit para gazetarëve lituanez foli trajneri, Shpëtim Duro.
Do të jetë kjo përballja e parë mes këtyre dy skuadrave nga gjithsej dy që duhet zhvilluar, me ndeshjen e kthimit që luhet një javë më vonë në qytetin e Ohrit.
Mendimi juaj për ndeshjen kundër Zhalgiris…
“E presim me interes këtë takim, është historik për klubin tonë pasi është hera e parë që skuadra merr pjesë në Champions League. Jemi një skuadër e formuar prej gjashtë apo shtatë vitesh dhe kualifikimi në Champions është një sukses për skuadrën dhe qytetin. Kështu që këtë ndeshje mund të them se e presim me mjaft dëshirë dhe interes”.
Zhalgiris favorit në letër…
“Jo më kot fola më sipër për eksperiencën e dy skuadrave në Champions League, patjetër që në letër janë favorit për përvojën që ka Zhalgiris, por edhe ne jemi një skuadër e mirë me lojtarë të fortë e me përvojë dhe kemi mundësitë tona. Në futboll jo gjithmonë fiton favoriti, janë dy ndeshje dhe ne kemi ato mundësi dhe shanset tona”.