Voska Sport cakton orarin e ndeshjeve kontrolluese në prag të sezonit debutues në Ligën e Parë

Voska Sport tashmë disa ditë ka nisur përgatitjet në prag të sezonit të ri, ku për herë të parë kjo skuadër do të garojë në elitën e futbollit vendor, njofton “infOSport.mk”.

Përderisa trajneri Miljan Radoviç po përgatit ekipin në aspektin tekniko-taktik, drejtuesit e skuadrës kanë caktuar edhe ndeshjet kontrolluese, përmes të cilave strategu malazez do të nxjerr më të mirën nga futbollistët e tij.

Ndeshjen e parë miqësore skuadra e Voska Sport do ta zhvillojë kundër Sileksit në Shkup, në stadiumin e Fortunës në Hasanbeg. Kjo ndeshje në program është me datë 12 korrik, ndërsa vetëm 3 ditë më pas në stadiumin e Ohrit do të përballet me rivalin lokal, Ohrid Lihnidos.

Skënderbeu është kundërshtari i parë jashtë Maqedonisë për Voska Sport. Këtë ndeshje të besuarit e trajnerit Radoviç do ta zhvillojnë në Korçë me 17 korrik, ndërsa me 22 korrik në Ohër do të mirëpret ekipin qipriot të Ethnikos Achnas.

Po në Ohër, Voska Sport do ti zhvillojë edhe tre ndeshjet e fundit kundër KF Arsimit (24 korrik), Elbasanit (25 korrik) dhe Fushë Kosovës (30 korrik).

Njëherit ndeshja kundër skuadrës nga Kosova është edhe ndeshja e fundit dhe gjeneralja para startit të kampionatit në Ligën e Parë, që është paraparë të startojë me 5 dhe 6 gusht. (infOSport.mk)

 

Leave a Reply