Granit Xhaka, ka mohuar se është larguar nga Arsenali për shkak se gruaja e tij ishte e palumtur në Angli, gjë kjo që ishte komentuar shumë nëpër media.
Mesfushori shqiptar ditë më parë kompletoi kalimin e tij në Bundesligën gjermane te skuadra e Bajer Leverkusen, duke u larguar nga Londra pas plotë 7 viteve.
“Ka pasur gjithandej spekulime se gruaja ime nuk ishte më e lumtur në Angli. Kjo s’është aspak e vërtetë. Është fakt se unë jam person që gjithmonë më interesojnë sfidat e reja”, ka thënë Xhaka për “Keystone-SDA”.
Tutje kapiteni i Zvicrës tregoi edhe për bisedimet që kishte me trajnerin Çabi Alonso dhe kalimin te Bajer Leverkusen.
“Pas shtatë vjetësh, ishte koha për diçka krejt të re. Kampionati nuk është i ri për mua, por klubi po. Gjatë bisedimeve me drejtorin sportiv dhe Xabi Alonson (trajnerin), kam ndier se projekti afatgjatë në Leverkusen ishte më i vlefshëm dhe se më përshtatej 100 për qind”, ka nënvizuar Xhaka.
Xhaka ka pasur lavde për ish-trajnerin tek Arsenali, Mikel Arteta, duke e cilësuar atë si trajner shumë të afërt të cilin e respekton pafund.