Talenti madh turk, Arda Guler u prezantua gjatë të premtes si lojtari më i ri i Real Madridit, por kishte disa kushte para se të pranonte ofertën e “Mbretërve”.
E premtja ishte e rezervua për sensacionin turk që u prezantua në objektet e Real Madridit në një konferencë të mbushur me pyetje nga gazetarët.
“Siç e thashë më parë, këtu më kanë siguruar që do të luaj dhe kjo çështje ka mbaruar. Huazimi nuk është në planet e mia”, u përgjigj Guler në konferencë.
Ishte hera e katërt që e kishin pyetur në më pak se tre minuta, kështu që ai e zgjidhi çështjen se ku do të luajë sezonin e ardhshëm.
Megjithatë, mediat në Spanjë kanë zbuluar se fantazisti 18-vjeçar turk kishte vendosur dy kushte për t’u nënshkruar me Real Madridin.
Sipas gazetës “Marca”, Guler dhe familja e tij kishin marrë vendimin për të nisur një fazë të re larg Turqisë dhe kishin vënë dy kushte të patjetërsueshme.
Kushti i parë ishte të mos qëndronte në Fenerbahçe për të luajtur si huazim edhe një sezon, dhe i dyti ishte të bëhej pjesë e ekipit të parë në ekipin që e ka nënshkruar. Pra, nuk ka huazime. (telegrafi)