Marko Asensio është futbollisti më i ri i Paris Sen Zhermen. Klubi francez një transferim të tillë ka bërë të ditur me anë të një postimi në rrjete sociale.
Spanjolli ka rënë dakord për një kontratë 3-vjeçare që do ta mbajë atë të lidhur në “Parkun e Princërve” deri në vitin 2026.
Asensio do të jetë zëvëndësuesi direkt i Leo Messit i cili u largua drejt Inter Miami. Spanjollit 27-vjeçar i skadoi kontrata me Real Madridin dhe palët nuk rinovuan duke u ndarë kështu pas plot 7 viteve.
Me fanellën e Real Madridit, Asensio zhvilloi 286 ndeshje, duke regjistruar 61 gola e 32 asiste që kanë kontribuar në fitimin e 17 trofeve, mes tyre edhe 3 në Ligën e Kampionëve.
Ekipi kampion i Francës, më herët gjatë ditës së sotme prezantoi edhe mbrojtësin sllovak, Milan Shkriniar, i cili erdhi nga rradhët e Interit.
Shkriniar me PSZh-në ka nënshkruar kontratë 5-vjeçare, që do e mbajë atë në Paris deri në vitin 2028. (infOSport.mk)