Skuadra nënkampione e Shqipërisë, Tirana ka mundur 2:1 kampionin e Maqedonisë, FC Struga Trim Lum në ndeshjen kontrolluese, që u zhvillua sot në Ohër, njofton “infOSport.mk”.
Skuadra strugane luajti shumë më mirë në këtë ndeshje, mirëpo u ndëshkua në dy raste përmes kundërzbritjeve, kur fillimisht Hila në minutën e 37-të kaloi në epërsi Tiranën, ndërkohë përforcimi i kësaj merkatoje, Liridon Latifi në minutën e 69-të vendosi rezultatin përfundimtarë të këtij takimi në favor të skuadrës nga kryeqendra shqiptare.
Golin e vetëm dhe të nderit për kampionët e vendit e realizoi Bunjamin Shabani (39’), i cili gjatë pjesës së parë kishte goditur edhe shtyllën.
Gjatë pjesës së parë Struga Trim Lum seriozisht kanosej edhe përmes Besart Ibraimit, i cili edhe në pjesën e dytë rrezikoi portën “bardheblu”, që nuk kapituloi edhe para Besmir Bojkut që kishte rastin më të mirë të takimit, por edhe para Senad Jaroviç.
Kujtojmë, gjatë kësaj periudhe përgatitore Struga Trim Lum luajti edhe ndaj Ballkanit të Kosovës (2:2) dhe Partizanit të Tiranës (1:2).
Takimi i sotëm të dyja skuadrave ju ka shërbyer për sfidat europiane që i presin javën që vjen. Struga Trim Lum do të përballet me Zhalgiris në transfertë në kuadër të kualifikueseve të Ligës së Kampionëve, derisa Tirana në kuadër të Ligës së Konferencës do të përballet me Dinamo Batumi. (infOSport.mk)