Lorik Jakupi – Kaba, është i riu me prejardhje nga Tetova që po stërvitet me skuadrën e parë të Shkëndijës.
Ai me fanellën “kuqezi” kishte debutuar që në moshën 17-vjeçare, kur ishte paraqitur në ndeshjen kundër Makedonija Gj.P., kur kishte zëvendësuar kapitenin legjendar të Shkëndijës, Ferhan Hasanin.
Kaba me ekipin e parë të Shkëndijës tashmë numëron gjithsej 5 ndeshje në Ligën e Parë.
Ai, tanimë është 18-vjeçar, dhe është me prejardhje nga rrethi i Tetovës. Sulmuesi i krahut të majtë është rritur si lojtar te Shkëndija, një prej prej klubeve më me nam në futbollin tonë vendor.
Kaba, arriti të shënojë një super gol në ndeshjen e djeshme kontrolluese kundër HNK Gorica, duke ndihmuar në fund Shkëndijën për të shënuar edhe golin e dytë dhe për të vendosur rezultatin përfundimtarë, 2:0 në favor të skuadrës së tij të zemrës.
Për të riun nga Tetova parashihet një e ardhme e ndritur, kjo edhe për faktin se ky supertalent është pjesë e pandarë e ekipeve zinxhir të përfaqësueses së Maqedonisë, edhe atë duke filluar nga ajo U15, deri te U18, për të cilën deri më tani ka zhvilluar 4 ndeshje.
Pikërisht paraqitjet e tij mbresëlënëse me ekipin e të rinjëve të Shkëndijës, por edhe tash me ekipin e parë në kuadër të ndeshjeve kontrolluese në Slloveni, kanë bërë që për shërbimet e tij të interesohen edhe skuadra nga jashtë, por që në këto momente Lorik Jakup – Kaba është i përqëndruar vetëm te Shkëndija dhe përfaqësuesja e Maqedonisë, aty ku gjithashtu luan një rol të rëndësishëm te moshat e U18. (infOSport.mk)