FC Shkupi më në fund ka emëruar drejtorin e ri sportiv, rol të cilin me shumë sukses vite me rradhë e kryente Omer Bunjaku. Një ndër postet më të rëndësishme në skuadër i është besuar boshnjako-turkut, Damir Ibriç.
Bëhet fjalë për një ish futbollistë, i cili gjatë karrierës së tij kishte provuar veten në shumë kampionate të ndryshme botërore, e ku pjesën më të madhe e kishte kaluar në Turqi.
“Jam i lumtur që vi në një klub me traditë, klub me tituj kampioni dhe kupe si dhe që ka një organizim mjaft të mire. Vij në një ekip, i cili në çdo vit ka synim të jetë pretendent për titull dhe pjesëmarrës për në garat evropiane. Do të punojmë që të arrijmë suksese edhe më të mëdha, të futemi në grupet e ndonjë gare evropiane dhe të regjistrojmë suksese edhe më të mëdha” – është shprehur Damir Ibriç për faqen zyrtare të klubit nga Çairi.
Ibriç karrierën e tij futbollistike e kishte mbyllur në vitin 2017-të, që më pas të vazhdojë të punojë si ndihmës trajner për katër vite dhe dy vite të tjera si drejtor sportiv te skuadra e njohur turke e Malatyaspor.
Tashmë këtë rol, Ibriç do ta ushtrojë te FC Shkupi, skuadër kjo që këtë vit do të na prezantojë në kualifikueset e Ligës së Konferencës.