Xhaka ia jep lamtumirën Arsenalit, gati për sfidën e re

Arsenali pritet t’i fitojë 25 milionë euro nga shitja e Granit Xhakës te Bajer Leverkuseni.

Futbollisti kosovar pritet të rikthehet në Gjermani, ndërsa vendin e tij te skuadra londineze do ta zë futbollisti i Uest Ham, Declan Rice.

Bisedimet mes palëve kanë avancuar dhe shumë shpejt 30 vjeçari mund ta nisë punën nën urdhrat e trajnerit Çabi Alonso, shkruan mediumi britanik “The Athletic”.

Xhaka pranë largimit nga Londra ishte edhe dy vite më parë, kur emri i tij lidhej ngushtë me një transferim te Roma e Hoze Murinjos.

Megjithatë Xhaka kishte nënshkruar kontratë të re me Arsenalin, edhe atë gushtin e vitit 021, duke refuzuar në këtë mënyrë skuadrën “romake”.

Por tashmë gjërat kanë ndryshuar dhe Xhaka me gjasë do të kthehet në Bundesligë një vit para se t’i skadojë kontrata.

Përfaqësuesi zviceran i ishte bashkuar Arsenalit në vitin 2016 pikërisht nga kampionati gjerman, nga skuadra e Borusia Menhengladbah.

Gjatë kësaj periudhe të kaluar me “topçinjtë”, Granit Xhaka ka zhvilluar 297 ndeshje, duke regjistruar edhe 23 gola dhe 29 asistime.

Leave a Reply