Ardian Cuculi në moshën 35 vjeçare ka vendosur ti jap fund karrierës si futbollist aktiv. Gati një dekadë pjesë e Shkëndijës në katër periudha të ndryshme, një kohë kapiten i ekipit, një prej futbollistëve me më shumë paraqitje me fanellën kuqezi, fitues i 5 trofeve me skuadrën tetovare (2 tituj kampion, 2 Kupa dhe 1 Super Kupë), Ardian Cuculi do të mbetet gjithmonë në historinë e klubit si autori i golit të parë të Shkëndijës në Kupat e Evropës (kundër Portadoën nga Irlanda e Veriut në humbjen 2:1 më 10.07.2012).
Cuculi pasi luajti në Shqipëri dhe së fundmi në Kosovë, verën e shkuar e kishte vendosur të luajë vetëm edhe një sezon, duke mos fshehur dëshirën e madhe që karrierën ta mbyllë aty ku kaloi çastet më të mira gjatë gati një dekade.
Shkëndija i hapi derën e rikthimit, duke i mundësuar të mbyllë karrierën pikërisht aty ku ja donte zemra. Kështu, Ardian Cuculi tashmë ka luajtur ndeshjen e tij të fundit zyrtare në karrierë, duke mbyllur përfundimisht futbollin e luajtur.
“Është një ndjenjë e çuditshme që nuk dij nëse do arrij ta sqaroj. Jam i mërzitur sepse po largohem nga profesioni i vetëm që kam bërë gjithë jetën deri tani, mirëpo në anën tjetër jam shumë i lumtur që mu mundësua ta mbyll karrierën ashtu si dua dhe në klubin që e dua. Shkëndija mbetet pjesë e rëndësishme e jetës sime dhe në këtë moment dua të përcjell një falemenderim të madh deri te pronarët e klubit që më mundësuan ta mbyll ashtu dhe aty ku e kisha ëndërruar. Pengu i vetëm mbetet që se mbyllëm sezonin e fundit të paktën edhe me një trofe, por futbolli e jeta i kanë këto gjëra. Jam krenar që i kam shërbyer këtij klubi që më ka dhënë aq shumë dhe që jam munduar t’ja kthej në të njejtën mënyrë. Kaq vite bashkë dhe me suksese pafund janë tregues i bashkëpunimit të suksesshëm. Klubin dhe qytetin e Tetovës i ndjej si pjesë e jetë sime dhe nuk mund të mos falemenderoj tifozerinë e klubit, veçanërisht “Ballistët” që ishin me ne në çdo situatë. Shkëndijës i uroj shumë arritje tjera në të ardhmen, ndërsa do të mbetem përgjithmonë tifoz i kësaj skuadre”, është shprehur Ardian Cuculi në prononcimin e fundit si futbollist aktiv, sepse nga ky moment kalon në pension.