Erdon Daci rikthehet me gol në fushat e blerta, aty ku mungoi për gati 11 muaj

Erdon Daci është rikthyer me gol nga lëndimi i pësuar, që e kishtë lënë jashtë fushe reprezentuesin e Maqedonisë për gati 11-të muaj, shkruan “infOSport.mk”.

Sulmuesi shkupjan e shënoi golin e parë dhe të epërsisë për skuadrën e tij Vesterlo në miqësoren ndaj St. Truiden, ndeshje kjo që në fund u mbyll me shifrat 2:2.

Daci, si zakonisht e nisi ndeshjen titullarë, ndërsa iu deshën vetëm 13 minuta për të gjetur rrjetën kundërshtare.

Ky gol padyshim se do t’i shërbej Dacit për rikthimin e vetëbesimit pas dëmtimit të rëndë, që i pamundësoi atij të ndihmojë edhe përfaqësuesen e vendit.

Një gol tjetër në këtë përballje për Vesterlon, realizoi Nikolas Madsen, edhe atë 5 minuta para fundit të pjesës së parë, derisa St. Truiden përmes turkut Fatih Kaja dhe ukrainasit Oleksandr Filipov, shënoi nga një gol në secilën pjesë, duke nxjerrë në fund një barazim.

Kujtojmë, Daci edicionin që lamë pas, e nisi në mënyrë të shkëlqyer, duke realizuar gol që në ndeshjen e parë kundër Serkl Bryzh, por i njëjti kishte këputur ligamentet në ndeshjen e dytë kampionale kundër Leuven, për të pauzuar më pas për gati 11-të muaj.

Sezonin debutues me Vesterlon në Belgjikë, Daci e mbylli me 25 ndeshje dhe 10 gola të shënuar, ndërsa pikërisht aftësitë e tij realizuese, bënë që drejtuesit e kësaj skuadre ditë më parë t’ia vazhdojnë kontratën shkupjanit deri në vitin 2025.

Ndryshe, sezoni i ri në elitën e futbollit belg starton me 28 korrik, ndërkohë Vesterlo e Erdon Dacit ndeshjen e parë do ta zhvillojë një ditë më vonë në transfertën kundër Eupen. (infOSport.mk)

Leave a Reply