Me vetëm 18 vite të mbushura para pak muajsh, mesfushori Feta Fetai, ndryshe i njohur edhe si “Modriçi shkupjan”, nga rradhët e Rabotniçkit bëri një hap të rëndësishëm në karrierën e tij, duke u transferuar në futbollin kroat.
Shkupjani, i cili që disa ditë më parë kishte arritur marrëveshje me Lokomotivën e Zagrebit, me fanellën e kësaj skuadre u preznatua vetëm gjatë ditës së sotme, edhe atë në shoqërimin e menaxherit të tij, Meriton Berisha.
Që të dy bashkë, tashmë disa ditë ndodheshin në kryeqendrën kroate, aty ku fillimisht talenti shkupjan iu nënshtrua ekzaminimeve mjekësore, të cilat pasi i kaoi me sukses nënshkroi edhe kontratën e tij të parë profesionale jashtë vendit. Fetai si një talent i rrallë, vitin e kaluar u përfshi me ekipin e parë të Rabotniçkit pa i mbushur të 18-tat, derisa sezonin e fundit regjistroi 13 paraqitje në elitën e futbollit vendor me “romantikët”.
“Modriçi shkupjan”, paraqitet edhe me përfaqësuesen U18 të Maqedonisë së Veriut, për të cilën ka regjistruar 3 paraqitje, ndërsa te Rabotniçki kaloi dy vite më parë kur u largua nga akademia e FC Shkupit.