Sulmuesi bullgar Nasko Milev largohet nga Shkëndija vetëm pas 6 muajve. Bullgari 26-vjeçar erdhi si përforcim për repartin e sulmit, mirëpo nuk bindi. Kështu edhe pse i njëjti kishte kontratë deri qershorin e vitit të ardhshëm, largohet nga Shkëndija me marrëveshje të dyanshme.
“Pas një bisede të sinqertë e konstruktive ndërmjet kryesisë, stafit teknik, futbollistit dhe përfaqësuesit të Milevit, është vendosur se në këtë moment ndarja është në interes të të dyja palëve” – shkruan në faqen e KF Shkëndijës, të cilët falënderojnë bullgarin për kontributin e dhënë me fanellën “kuqezi”.
Sulmuesi 26-të vjeçar nga Plovdivi te Shkëndija kishte arritur nga rradhët e skuadrës së FK Panevezys nga Lituania, aty ku gjithashtu kishte luajtur me fanellën e Dziugas. Karrierën e kishte nisur në vendlindje te Botev Plovdiv ku ka luajtur 4 sezone si profesionist, para se të paraqitej me Slavia Sofia dhe Lokomotiv Sofia.
Me Shkëndijën i njëjti regjistroi 13 ndeshje, 3 gola dhe 2 asistime.
Tashmë mbetet të shihet nëse drejtuesit e rinj do përmirësojnë gabimin dhe do gjejnë ndonjë sulmues më cilësor se Milev. Si përforcim i mundshëm tashmë një kohë më të gjatë përmendej emri i sulmuesit holandez, Tyrone Conraad, i cili edicionin e fundit në kampioinatin elitar të Malit të Zi u shpall si golashënuesi më i mirë, duke realizuar plotë 25 gola në 33 paraqitje me fanellën e Sutjeska Nikshiç, ndërsa gjithashtu së fundmi në skenë ka dalë edhe emri i kapitenit brazilian të Egnatias, Xhekson.
Largimi i Milev me siguri që i ka hapur rrugë njërit prej këtyre transferimeve, që pritet të zyrtarizohet ditëve në vijim. (infOSport.mk)