Besa e Dobërdollit prezantoi edhe kapitenin e Pelisterit

Skuadra e Besës së Dobërdollit brenda ditës ka prezantuar dy blerje të mëdha, pasi që të dy futbollistët kanë një bagazh të madh edhe në Ligën e Parë.

Kështu pas Izair Eminit, drejtuesit e skuadrës nga Dobërdolli prezantuan edhe kapitenin e deridjeshëm të Pelisterit, Hristijan Dragarski.

Ky i fundit te skuadra shqiptare vjen si agjent i lirë, pasi drejtuesit e Pelisterit nuk i kishin vazhduar kontratën, pavarësisht se edicionin e kaluar në Ligën e Dytë ishte një ndër futbollistët më standard dhe më të mirë te skuadra nga Manastiri.

Siç mëson “infOSport.mk”, Besa e Dobërdollit me Dragarskin ka firmosur kontratë deri në fund të sezonit 2023/24, në të cilin kjo skuadër futet si një ndër skuadrat pretendente për inkuadrim në Ligën e Parë.

Dragarski karrierën e tij e kishte filluar në vendlindje, duke luajtur me Pelisterin, nga e cila skuadër si 18-vjeçar ishte transferuar jashtë vendit, duke nënshkruar me rumunët e Concordia. Pasoi një aventurë e shkurtër në Serbi te skuadra e Radnik, për tu rikthyer sërish në Maqedoni, këtë herë në fanellën e skuadrës së Mladost Carev Dvor nga Prespa. Në periudhën në vijim në Maqedoni përveç me Pelisterin, luajti edhe me Pobedën e Prilepit dhe Struga Trim Lum, ndërsa gjithashtu në Superligën shqiptare, duke veshur fanellën e Teutës nga Durrësi.

Dragarski në Ligën e Parë numëron plotë 168 paraqitje dhe 8 gola të shënuar, ndërsa me përvojën e tij të madhe, i njëjti pritet të jetë një komandant i vërtetë në mbrojtjen e Besës nga Dobërdolli. (infOSport.mk)

Leave a Reply