Përballje kampionësh, Partizani mund Struga Trim Lumin në Pogradec

Struga Trim Lum ka pësuar disfatë minimale 1:0 në ndeshjen ndaj kampionëve të Shqipërisë, Partizanit, njofton “infOSport.mk”.

Në një ndeshje të fortë dhe të ashpër, Struga Trim Lum pësoi gol vetëm në pjesën e dytë, kur të dy trajnerët provuan futbollistë edhe nga bankina.

Rastet më të mira për gol skuadra strugane në këtë ndeshje i pati gjatë pjesës së parë, kur fillimisht Bunjamin Shabani u orvat nga një distancë prej 10 metrash, mirëpo në vendin e duhur ishte portieri Rexhepi.

Një rast tjetër ideal, përmes të cilit Struga Trim Lum mund të avansonte përballë skuadrës kampione të Shqipërisë, kishte edhe Mexhit Neziri, mirëpo edhe mbrojtësi ynë nuk arriti të tund rrjetën kundërshtare.

Kështu, pjesa e parë u mbyll me barazim pa gola, ndërsa në pjesën e dytë golin e vetëm për Partizanin e realizoi, Mensah.

Vlen të theksohet se në këtë ndeshje minutat e para me fanellën e Struga Trim Lum i kishte përforcimi më i fundit, Vangjo Zguro, ndërsa gjithashtu nga minuta e 60-të në lojë u inkuadruan edhe dy përforcimet e kësaj merkatoje, Senad Jaroviç dhe Mentor Mazrekaj, që zëvendësuan dyshen sulmuese Besart Ibraimi-Marjan Radeski.

Ndeshjen e rradhës Struga Trim Lum do ta zhvillojë me datë 05 korrik kundër nënkampionëve të Shqipërisë, KF Tiranës.

 

Leave a Reply