I transferuar së fundmi te Arsenali, gjermani Kai Havertz ka zbuluar se futbolli nuk është pasioni i tij i vetëm, duke treguar se ka një dashuri të madhe edhe për kafshët e sidomos për gomarin.
Në një intervistë të dhënë për “BBC”, Havertz shprehet se shokët e tij e thërrasin gomar, duke shtuar se ka edhe një gomar të cilit i ka vënë edhe emrin e tij.
“Shokët e mi më thërrasin gomar dhe jo për mënyrën si luaj futboll por për faktin që i dua. Që në ditën e parë ndjeva një marrëdhënie të veçantë me gomerët. Është një kafshë shumë e qetë, ndoshta e shoh veten në to sepse edhe unë jam i qetë. Ata e shijojnë gjithë ditën, nuk bëjnë shumë, thjesht duan të jetojnë jetën e tyre. I kam dashur gjithmonë. Gomerët janë kafshë kaq të jashtëzakonshme dhe jam shumë i lumtur që njërit i kam vënë emrin tim, në mënyrë që ky gomar i vogël të ndihmojë në rritjen e ndërgjegjësimit për rëndësinë e mirëqenies së mirë të gomerëve, këtu dhe në mbarë botën”, shprehet Havertz.