Arbitër nga Azerbejxhani në debutimin e Struga Trim Lum në Ligën e Kampionëve

Gjatë ditës së sotme, UEFA ka  zyrtarizuar edhe emrat e arbitrëve që do të ndajnë drejtësinë në ndeshjet e raundit të parë kualifikues në Ligën e Kampionëve, aty ku për herë të parë në historikun e saj do të marrë pjesë edhe Struga Trim Lum.

Ekipi strugan në këtë fazë do të përballet me ekipin lituanez të Zhalgiris, ndaj së cilës skuadër ndeshjen e parë do ta zhvillojnë në transfertë.

Kjo ndeshje në program është me datë 11 korrik (e martë), ndërsa në të njëjtën, drejtësi do të vënë arbitrët nga Azerbejxhani, me në krye Elchin Masiyev.

Bëhet fjalë për një arbitër të ri në moshë, vetëm 31-vjeç, i cili nuk ka edhe shumë eksperiencë në garat europiane.

Ai deri më tani ka ndarë drejtësinë vetëm në tre ndeshje tek seniorët, edhe atë dy në kuadër të ndeshjeve kualifikuese të Ligës së Konferencës dhe një tjetër në kuadër të grupeve të këtij kompeticioni.

Vlen të theksohet se i njëjti i ka referuar edhe Sileksit gjatë vitit 2021, që njëherit ishte edhe ndeshja e tij e parë europiane tek seniorët. Në atë ndeshje, skuadra nga Kratova kishte pësuar disfatë minimale 1:0 në transfertën në Moldavi ndaj skuadrës së Petrocub.

Ndihmës të Masiyev në ndeshjen e 11 korrikut kundër Zhalgiris, do të jenë Elshad Abdullayev dhe Parvin Talibov, ndërsa rolin e arbitrit të katërt do ta luaj, Kamal Umudlu, që të gjithë nga Azerbejxhani. (infOSport.mk)

Leave a Reply