Shkëndija ka regjistruar edhe fitoren e dytë në kuadër të ndeshjeve kontrolluese në Slloveni, aty ku skuadra tetovare e udhëhequr nga strategu shkupjan, Ardian Nuhiu, po zhvillon fazën kryesore të përgatitjeve në prag të ndeshjeve kualifikuese në Ligën e Konferencës, njofton “infOSport.mk”.
Pas fitores 3:2 ndaj rumunëve të Petrolul Ploesti, skuadra e Shkëndijës sot me rezultatin minimal 1:0 mundi ekipin slloven të NK Rogashka, që si kampion në Ligën e Dytë, edicionin e ri do të garojë në elitën e futbollit të Sllovenisë.
Golin e vetëm, që ishte një kryevepër në vete e realizoi Enur Totre në minutën e 31-të. Nga krahu i djathtë bukur kombinuan dy futbollistët kosovar, Ardian Limani dhe Adenis Shala, me këtë të fundit që pasoi brenda zonës për Totren, i cili me një goditje precize shënoi në rrjetën e NK Rogashka.
Ky gol doli të jetë edhe i vetmi i shënuar i këtij takimi, që nuk prodhoi edhe shumë raste për shënim, kjo edhe për fajin nga loja e ashpër në momente e futbollistëve të NK Rogashka.
Ndeshjen e rradhës në tokën sllovene, të besuarit e trajnerit Ardian Nuhiu do ta zhvillojnë me 30 qershor kundër skuadrës së njohur boshnjake të FK Sarajevo. (infOSport.mk)