Skuadra kampione e vendit tonë, Struga Trim Lum, ndeshjet kontrolluese i ka nisur me barazim, njofton “infOSport.mk”. Skuadra e udhëhequr nga Shpëtim Duro barazoi 2:2 me kampionët e Kosovës, Ballkani, në ndeshjen që u zhvillua në stadiumin e qytetit në Ohër.
Ndeshja pati një start të zjarrtë, teksa brenda 14 minutave u shënuan që të gjithë golat e këtij takimi, nga i cili në fund dolën të kënaqur që të dy trajnerët, Duro dhe Daja, dy miq të vjetër këta dhe ndër trajnerët më të suksesshëm shqiptarë.
Ballkani brenda 4 minutave të para ndëshkoi dy herë kampionët tanë, që u kundërpërgjigjen në të njëjtën mënyrë, duke realizuar dy gola brenda 6 minutave.
Ishte Bunjamin Shabani, ai i cili në minutën e 8-të barazoi shifrat, ndërsa 6 minuta më pas golin e dytë për skuadrën tonë e shënoi Marjan Radeski.
Pjesa e dytë prodhoi disa mundësi para të dyja portave, mirëpo rezultati mbeti i pa ndryshuar.
Në fillimin e pjesës së dytë, trajneri i skuadrës strugane, Shpëtim Duro vendosi të provojë edhe dyshen që transferuam gjatë kësaj merkatoje, Mentor Mazrekaj dhe Senad Jaroviç, që zëvendësuan dyshen sulmuese Marjan Radeski – Besart Ibraimi, ndërsa nga minuta e 60-të, minutat e para me fanellën e Struga Trim Lum i kishte edhe përforcimi tjetër, Ardi Idrizi, 19-vjeçari që erdhi nga rradhët e skuadrës së Adana Demirspor.
Ndeshjen e rradhës miqësore, Struga Trim Lum do ta zhvillojë me datë 30 qershor në Pogradec kundër kampionëve të Shqipërisë, Partizanit.