Merkatoja sa vjen e ndizet me klubet që kanë objektivat dhe strategjitë e tyre. Disa duan të mbyllin sa më shpejtë lëvizjet për t’u bërë gati për kupat e Europës, ndërsa disa të tjerë kanë gjithë verën para.
Megjithatë edhe këto klubet e fundit, nuk dë shirojnë ti lënë asgjë rastit, pasi mos interesimi i tyre në këtë periudhë, mund ti lejë ato pa lojtar cilësor që ofron tregu për momentin.
Kështu Voska Sport pas angazhimit të Fatih Ismailit dhe vazhdimit të bashkëpunimit me portierin Hadis Velii dhe mesfushorin Ermedin Adem, po tenton që në rradhët e veta të sjellë mbrojtësin malazez, Nikolla Stijepoviç.
Bëhet fjalë për një futbollistë me mjaft përvojë, i cili përveç në Mal të Zi, gjatë karrierës së tij ka luajtur edhe në Shqipëri me Kastriotin dhe në Gjeorgji me Torpedo Kutaisi.
Ndryshe, Stijepoviç është një lojtar i Sutjeska Nikshiç, ku edhe kishte filluar karrierën e tij profesionale. Pikërisht me këtë skuadër i njëjti regjistron edhe sukseset e tij më të mëdha, pasi ishte shpallur tre herë kampion, derisa edhe në dy raste tjera kishte fituar trofeun e Kupës së Malit të Zi.
Edicionin e kaluar, Stijepoviç me fanellën e Sutjeskas u paraqit në 33 ndeshje kampionale, nga gjithsej 36, ndërsa gjithashtu luajti edhe në 4 ndeshje europiane, eliminatoret e Ligës së Kampionëve dhe ato të Ligës së Konferencës.
Siç mëson “infOSport.mk”, Stijepoviç aktualisht është në bisedime për vazhdimin e kontratës me skuadrën e Sutjeskas, mirëpo te Voska Sport besojnë se pikërisht trajneri i tyre i ri, Miljan Radoviç mund të luaj një rol të rëndësishëm në transferimin e tij në Ohër.
Stijepoviç në elitën e futbollit malazez numëron plotë 223 ndeshje, ndërsa gjithashtu 17 paraqitje kishte bërë edhe me Kastriotin në Superligën shqiptare dhe 8 në elitën e futbollit gjeorgjian me Torpedo Kutaisi.
Mbetet të shihet ditëve në vijim, nëse i njëjti do të pranojë ofertën e Voska Sport, skuadër kjo që sipas informacioneve të “infOSport.mk”, ditëve në vijim do prezantojë edhe disa emra të rinj, por gjithashtu do të njoftojë edhe për vazhdimin e bashkëpunimit me disa prej futbollistëve që i ka në organikën e saj dhe që ishin pjesë e suksesit historik, duke ndihmuar skuadrën për të siguruar një vend në mesin e më të mirëve në futbollin vendor. (infOSport.mk)