Asani dhe Bajrami ndaj Moldavisë shënuan golat debutues “kuqezi” (VIDEO)

Kombëtarja e Shqipërisë të shtunën në mbrëmje në “Air Albania” në Tiranë në kuadër të xhiros së dytë të grupit “E” eliminatorë për Euro 2024, regjistroi fitoren e parë, duke mundur Moldavinë me shifrat 2:0, njofton “infOSport.mk”.

Që të dy golat erdhën në pjesën e dytë dhe mbajnë vulën e dy futbollistëve shqiptarë nga Maqedonia, Jasir Asani, gjegjësisht Nedim Bajrami.

Asani realizoi golin e parë, kur me një predhë të vërtetë nga distanca çmendi gjithë të pranishmit në stadium, derisa Bajrami konfirmoi fitoren “kuqezi”, duke bërë që realisht të ëndërrojmë për Europianin e vitit të ardhshëm.

Për më tepër, edhe Asani, edhe Bajrami ndaj Moldavisë kishin shënuar golat e tyre të parë me fanellën e Kombëtares shqiptare.

Nëse shkupjani Asani, një gjë të tillë bëri vetëm në ndeshjen e tij të dytë  me fanellën “kuqezi”, tetovari Bajrami, golin e parë e gjeti në ndeshjen e tij të 12-të.

Kujtojmë, mbrëmë në ndeshjen ndaj Moldavisë gjatë pjesës së dytë në lojë u inkuadrua edhe kumanovari, Taulant Seferi, ndërsa bashkëqytetari i tij, Naser Aliji mbeti në bankinë.

Vlen të theksohet, se si asnjëherë më parë pjesë e kombëtares shqiptare janë plotë 4 futbollistë nga Maqedonia e Veriut. (infOSport.mk)

Leave a Reply