Kombëtarja shqiptare sonte e udhëhequr nga futbollistët shqiptarë të Maqedonisë, Jasir Asani dhe Nedim Bajrami mundën Moldavinë me rezultatin 2:0, duke siguruar në këtë mënyrë fitoren e parë në kuadër të grupit “E”, e vlefshme për eliminatoret e Europianit të vitit 2024, njofton “infOSport.mk”.
Pikërisht dyshja Asani-Bajrami, me origjinë nga Maqedonia shënuan golat e fitores për “kuqezinjtë”, duke bërë që “Air Albania” të festojë shqip dhe vetëm shqip.
Në tribuna mund të vëreheshin edhe shumë shqiptarë nga vendi ynë, përfshirë këtu edhe tifo grupet, si “Shvercerat” dhe “Ballistët”, që të organizaur kishin udhëtuar drejt Tiranës.
Që të dy golat kombëtarja shqiptare në këtë ndeshje i realizoi në pjesën e dytë.
Ishte super goli i Jasir Asanit i shënuar në minutën e 52-të që i hapi rrugën kësaj fitore, të cilën e konfirmoi me një tjetër gol të bukur, Nedim Bajrami në minutën e 76-të.
Ishte kjo fitorja e parë për “kuqezinjtë” e Silvinjos në këto eliminatore, ku pas dy xhirove “kuqezinjtë” renditen në pozitën e tretë me 3 pikë, po aq sa ka edhe Polonia në pozitën e dytë, derisa Çekia me 7 pikë mban pozitën e parë pas 3 ndeshjeve të zhvilluara. (infOSport.mk)