Shkëndija në kontakte me reprezentuesin e Azerbejxhanit, Haciyev!

Shkëndija ka qenë mjaft aktive në këtë merkato, që si duket për “kuqezinjtë” ende nuk ka përfunduar. Informacione pranë “infOSport.mk” bëjnë me dije se drejtuesit e skuadrës tetovare kanë piketuar mesfushorin me tipare sulmuese Rahman Haciyev, i cili një kohë ka luajtur edhe me kombëtaren e Azerbejxhanit.

Bëhet fjalë për një futbollistë 29-vjeçar, i cili zakonisht luan në krahun e djathtë të sulmit, dhe që ka mjaft eksperiencë në futbollin azer, aty ku numëron plotë 234 ndeshje, 26 gola dhe 21 asistime. Ai me fanellën e kombëtares së tij, numëron 9 paraqitje, derisa së fundmi kishte luajtur në vitin 2020.

Aktualisht, Haciyev është pjesë e skuadrës së Neftçi Baku, derisa në vendlindjen e tij kishte veshur gjithashtu edhe fanellat e skuadrave, si: Shamakhi, Keshla, Sumgayit dhe FC Baku, aty ku edhe e kishte filluar karrierën e tij.

Ndryshe, Haciyev ka provuar veten edhe në Turqi, duke mbrojtur ngjyrat e Altay dhe Gaziantep BB.

Mbetet të shihet nëse trajneri Ardian Nuhiu do të jap dritë jeshile për angazhimin e futbollistit azer, duke pasur parasysh se disa ditë më parë, Shkëndija angazhoi Endrit Krasniqin e Prishtinës, që luan në të njëjtën pozitë, sikurse Haciyev.

Kujtojmë, Shkëndija përveç Krasniqit, deri më tani ka angazhuar edhe qendër mbrojtësit Mevlan Adilin dhe Ardian Limanin si dhe mbrojtësin e krahut të majtë, Zija Merxhani. (infOSport.mk)

Leave a Reply