Përfaqësuesja e Kosovës ka barazuar edhe në ndeshjen e saj të tretë në kuadër të eliminatoreve për “Euro 2024”, duke humbur një mundësi të mirë për të shkurtuar diferencën me dy skuadrat e kreut në Grupin “I”, njofton “infOSport.mk”.
Të besuarit e trajnerit Alan Zhires, sonte në “Fadil Vokrri” në Prishtinë barazuan pa gola ndaj Rumanisë, skuadër kjo që kishte siguruar pikët e plota në dy ndeshjet e para, por që sot ishte dukshëm inferiore ndaj “dardanëve”, që edhe sonte krijuan më shumë raste, sidomos në pjesën e dytë, teksa gjetën edhe rrjetën me Zhegrovën, por që goli i tij u anulua pas intervenimit të VAR.
Krejt fare në fund, në minutat shtesë pas një super aksioni individual të Edon Zhegrovës, sulmuesi Vedat Muriqi pati një rast të qindërpqindtë, mirëpo goditja e tij nga afërsia përfundoi vetëm mbi portë, duke bërë që ndeshja në fund të mbyllet me barazimin 0:0.
Pas 3 xhirove të zhvilluara, Kosova renditet në pozitën e katërt me vetëm 3 pikë, ndërkohë Rumania me 7 pikë renditet në vendin e dytë, menjëherë pas Zvicrës, që me 9 pikë të plota kryeson grupin “I”. (infOSport.mk)