Voska Sport mbrëmjen e sotme ka prezantuar trajnerin e ri, i cili do të ketë mundësinë që për herë të parë në histori të udhëheq këtë skuadër në Ligën e Parë. Do të jetë malazezi Miljan Radoviç, ai i cili do të udhëheq skuadrën shqiptare nga Ohri në mesin e më të mirëve në futbollin vendor, njofton “infOSport.mk”.
Voska Sport me strategun malazez kanë firmosur kontratë një vjeçare, ndërsa i njëjti është shprehur shumë i kënaqur që për herë të parë do të punojë edhe në kampionatin e Maqedonisë.
Trajneri Miljan Radoviç te Voska Sport vjen me një bagazh të madh si trajner.
Strategu 46-vjeçar së fundmi kishte drejtuar skuadrën shqiptare të Deçiç në Mal të Zi, aty ku gjithashtu kishte udhëhequr edhe ekipin e OFK Grbalj dhe FK Sutjeska, ndërsa gjatë viteve 2018 dhe 2019 kishte drejtuar skuadrat nga Indonesia, DSK Shivajians, Pune dhe Persib Bandung.
Ai në vitin 2017 me ekipin e Grbalj kishte shkruar historinë, duke luajtur për herë të parë në historinë e këtij klubi në finalen e Kupës së Malit të Zi, ndërsa dy sezone rradhazi me Sutjeskën (2020/21) dhe me ekipin e Deçiç (2021/22) kishte arritur të luaj në ndeshjet europiane të Ligës së Konferencës.