Zija Merxhani sezonin e ri do të luaj me Shkëndijën e Tetovës. Futbollisti tetovar praktikisht kthehet në klubin amë, pasi sezonin e shkuar me Strugën fitoi titullin kampion. Merxhani me Shkëndijën ka nënshkruar kontratë për dy vitet e ardhshme.
“Shkëndija është klubi më i madh shqiptar dhe secili futbollist dëshiron të vijë këtu. E kur flasim për ne tetovarët që për më shumë edhe kemi nisur karrierën e kemi stërvitur me këto ngjyra që në moshë të vogël, atëherë fjalët janë të pakta për të përshkruar ndjenjën e të qenurit këtu. Unë kam luajtur me Shkëndijën, e dij ambientin dhe vlerësoj se e njoh rrugën që duhet të kalojmë. Dihet se çka pritet prej neve, duhet më pak të flasim dhe më shumë të punojmë për të dhënë secili 100% nga vetja për të realizuar objektivat që ka klubi dhe sponsori“, është shprehur Merxhani menjëherë pasi zyrtarizoi rikthimin në taborin e Shkëndijës.
Zija Merxhani ka dalë nga shkolla e futbollit Shkëndija, para se të luajë te Drita e Bogovinës dhe Struga Trim Lum në Ligën e Dytë. Ai pas këtyre aventurave në Ligën e Dytë, u rikthye në Tetovë duke luajtur 4 sezone me Shkëndijën, periudhë në të cilën fitoi dy tituj kampion (2018/2019 dhe 2020/2021).
Sezonin e kaluar Merxhani u transferua sërish te Struga Trim Lum, me të cilën skuadër u shpall kampion. Me fanellën e kampionëve të Struga Trim Lum, Merxhani edicionin e kaluar zhvilloi 27 ndeshje, duke regjistruar 2 gola dhe 4 asistime, ndërsa ishte standard edhe në rrugëtimin deri në finale të Kupës, ku për fat të keq u mundën nga Makedonija GJ.P. (infOSport.mk)