Konfirmohet edhe një lajm tjetër i “infOSport.mk”, Krasniqi i Prishtinës vishet “kuqezi”

Endrit Krasniqi është emri më i ri te Shkëndija. Bëhet fjalë për një  mesfushor me tipare sulmuese, i cili te skuadra tetovare vjen nga rradhët e Prishtinës.

28 vjeçari Krasniqi me “kuqezinjtë” nga Tetova ka firmosur kontratë 2 vjeçare, menjëherë pasi me sukses kaloi ekzaminimet mjekësore.

Një transferim të këtillë “infOSport.mk” kishte paralajmëruar që me datë 6 qershor, pasi vetë Krasniqi kishte bërë të ditur që do të largohet nga Prishtina.


LEXO GJITHASHTU: Endrit Krasniqi konfirmon largimin nga Prishtina, e presin te Shkëndija!


“Për Shkëndijën nuk duhet shumë të flitet, është një ndër klubet më të mëdhaja shqiptare dhe shpresoj që të kemi një sezon fantastik dhe të bëjmë gjëra të mëdha. Dihet se Shkëndija organizimin e ka në nivel tjetër në raport me klubet tjera, kështu që neve që punojmë për këtë klub na mbetet të japim maksimumin dhe të arrijmë atë që klubi e ka planifikuar në fillim të sezonit. I detyrohem këtij klubi për besimin e treguar dhe duhet të jap maksimumin që të arrijmë ato objektiva që i kemi,“ është shprehur mes tjerash Endrit Krasniqi.

Në Tetovë Krasniqi vjen si kampion i Kupës, pasi vetëm dy javë më parë me Prishtinën në finalen e madhe mundën Gjilanin.

Ndryshe në 3 vitet e fundit me Prishtinën, Krasniqi arriti të fitojë dy trofetë e Kupës, gjë të cilën në vitin 2018-të e kishte bërë edhe me Dritën, te e cila skuadër për një periudhë kishte punuar bashkë edhe me trajnerin aktual të Shkëndijës, Ardian Nuhiu.

Mesfushori me tipare sulmuese edicionin e fundit me Prishtinën zhvilloi 29 ndeshje, duke regjistruar 9 gola dhe 6 asistime. Krasniqi te Shkëndija shihet si zëvendësues i Ferhan Hasanit. (infOSport.mk)

Leave a Reply