Përfaqësuesja U21 e Maqedonisë vazhdon përgatitjet për ndeshjet kontrolluese ndaj Armenisë dhe Maltës.
Këto dy ndeshje kontrolluese do të jenë testi i fundit për shpresat e vendit tonë para fillimit të kualifikueseve për Kampionatin Evropian.
Një ndër mesfushorët më të mirë të kësaj gjenerate, Hamza Ramani, ka folur për ndeshjet e ardhshme kontrolluese, si dhe për vetë kualifikimet që fillojnë në shtator.
“Nga ndeshjet kontrolluese me Armeninë dhe Maltën pres që të luajmë në cilësi të lartë, të luftojmë dhe të arrijmë një rezultat pozitiv, i cili do të na japë motivim dhe vetëbesim shtesë para fillimit të eliminatoreve në shtator”.
“Mezi pres fillimin e kualifikimeve. Shpresoj që të arrijmë të luajmë kualifikime të mira dhe të arrijmë një renditje të mirë. Duam të përsërisim suksesin e gjeneratës që u kualifikua në Europianin 2017. Duhet të jemi sa më të përqendruar në fushë, të luftojmë për çdo top, thjesht të bëjmë më të mirën. Vetëm kështu mund të shpresojmë për një rezultat pozitiv dhe kualifikime të shkëlqyera”.
“Unë kam një marrëdhënie të shkëlqyer me të gjithë në përfaqësuese, nga lojtarët deri te seleksionuesi dhe ekipi i tij teknik. Ka mirëkuptim dhe bashkëpunim mes nesh lojtarëve dhe stafit profesional, ka një atmosferë të shkëlqyer në ekip, e cila është shumë e rëndësishme dhe vendimtare në luftën për një renditje sa më të lartë”.
“Kemi kualitet dhe vendosmëri, por do të duhet ta tregojmë në fushë në ndeshjet e ardhshme. Shpresoj që me ndeshjet e mira në të ardhmen unë dhe bashkëlojtarët e mi të jemi pjesë e përfaqësueses A të Maqedonisë” – u shpreh mesfushori i FC Shkupit, Hamza Ramani.
Ndeshjen e parë të këtij muaji, Maqedonia U21 do ta zhvillojë me 15 qershor kundër Armenisë me fillim në ora 17:00, ndërkohë 5 ditë më vonë po në të njëjtën kohë, të besuarit e trajnerit Dragan Kanatllarovski do të luajnë ndaj Maltës. Të dyja këto ndeshje do të luhen në qendrën stërvitore “Petar Milloshevski” në Shkup. (infOSport.mk)