Përfaqësuesja e Maqedonisë tashmë disa ditë në formacion të plotë po përgatitet për dy ndeshjet kualifikuese të qershorit kundër Ukrainës, gjegjësisht Anglisë. Për herë të parë pjesë e “verdhekuqve” të mëdhenj do të jetë Sefer Emini, mesfushori i danezëve të Sonderjyske, i cili ka folur në prag të këtyre dy takimeve për faqen zyrtare të Federatës.
“Është nder të jem këtu, përpiqem të jap maksimumin në çdo stërvitje. Kombëtarja është e tillë që të gjithë duhet të japin maksimumin. Të gjithë duhet të jemi gati dhe të presim vendimin e trajnerit”.
“Para së gjithash, duhet të fokusohemi te ndeshja kundër Ukrainës dhe vetëm më pas të mendojmë për Anglinë. Një rezultat pozitiv në ndeshjen e parë do të sjellë më shumë besim dhe vetëbesim para udhëtimit për në Mançester. Qëllimi është të luajmë ndeshjen më të mirë të mundshme dhe të fitojmë, por futbolli është i paparashikueshëm. Nëse nuk jeni 200 për qind të fokusuar, çdokush mund t’ju prishë planet” – është shprehur Sefer Emini, i cili shpreson të debutojë në këto ndeshje me përfaqësuesen A të Maqedonisë.
Ndeshjen e parë të përzgjedhurit e Bllagoja Milevski do ta zhvillojnë me 16 qershor në Shkup kundër Ukrainës, ndërkohë ndaj Anglisë do të përballen me 19 qershor në Mançester.
Maqedonia bënë pjesë në grupin “C”, bashkë edhe me Italinë dhe Maltën. Pikërisht ndaj këtyre të fundit, Maqedonia regjistroi fitoren e parë në këto kualifikuese. (infOSport.mk)