Skënderbeu kërkon të marrë Zahovin e Shkëndijës!

Skuadra e Skënderbeut pas dy viteve arriti sërish të rikthehet në Superligën shqiptare, aty ku kjo skuadër pritet të jetë krejt ndryshe nga ajo e Kategorisë së Parë, kjo edhe për vetë faktin se pjesa më e madhe e ekipit pritet që të ndryshojë në hapësirën e kësaj merkatoje.

Një ide kjo e drejtuesve të klubit edhe për faktin, sepse korçarët jo vetëm duan të qëndrojnë gjatë në këtë kategori, por më tepër se kaq duan të ringjiten edhe njëherë tjetër në majat e futbollit shqiptar.

Për ta bërë këtë, ata janë në kërkim të futbollistëve të shumtë, përfshirë këtu edhe nga Maqedonia.

Siç mëson “infOSport.mk”, drejtuesit e Skënderbeut duan të bëjnë për vete portierin e Shkëndijës, Kostadin Zahov, edhe pse realisht do të jetë kjo një pistë e vështirë, kjo për arsye se gardiani 35-vjeçar është në bisedime e sipër për zgjatjen e kontratës me “kuqezinjtë” nga Tetova.

Zahov kërkon një kontratë të re dy vjeçare, për të cilën drejtuesit e Shkëndijës nuk janë të gatshëm dhe insistojnë për një kontratë vetëm një vjeçare. Pikërisht këto dilema dhe mosmarrëveshje bëjnë që Skënderbeu të shpresojë tek Zahov, edhe pse ata kanë edhe një plan B, portierin e Kastriotit, Edmir Sali.

Kujtojmë, vite më parë Skënderbeu po nga Shkëndija morri në huazim portierin Bekim Rexhepi, për tu transferuar më pas i njëjti tek Partizani, me të cilën skuadër këtë vit u shpall edhe kampion i Shqipërisë. (infOSport.mk)

Leave a Reply