KF Gostivari që edicionin e ri do të luaj në Ligën e Parë, më në fund është aktivizuar edhe në merkato, pas gjithë atyre largimeve që ndodhën te kjo skuadër me të mbyllur sezoni 2022/23, njofton “infOSport.mk”.
Kështu, pas 12 rinovimesh kontratash gjatë ditës së djeshme, drejtuesit e kësaj skuadre kanë njoftuar gjithashtu edhe për 3 emrat e parë të rinj, që sezonin e ri do të luajnë me Gostivarin.
Fjala është për sulmuesin e deridjeshëm të FC Shkupit, Pepi Georgiev, sulmuesin e krahut të djathtë, Zehrudin Mehmedoviç dhe mesfushorin tjetër boshnjak, Mustafa Mujezinoviç.
Ky i fundit te KF Gostivari vjen nga rradhët e Shkëndijës, ndërsa për një lëvizje të tillë “infOSport.mk”, kishte njoftuar që disa ditë më parë.
Siç paralajmërojnë drejtuesit e Gostivarit, ditëve në vijim pritet të ju bashkohen edhe futbollistë tjerë, ndërsa ndër emrat e mundshëm që mund të pranojnë të luajnë për këtë skuadër, janë edhe mesfushori Gjorgji Stoilov si dhe mbrojtësi i krahut të majtë, Mihail Manevski.