Vllaznia ka bërë goditjen e parë ne merkaton e verës, duke firmosur me sulmuesin Ildi Gruda. Lajmin e ka zyrtarizuar vetë klubi shkodran ditën e sotme, duke prezantuar futbollistin me fanellën “blaugrana”.
Gruda, i cili së fundmi ishte pjesë e Teutës, në këtë mënyrë rikthehet në qytetin e tij, duke u bërë pjesë e Vllaznisë për 3 sezonet e ardhshme. Me anë të një postimi, klubi i Vllaznisë i ka uruar suksese Grudës në aventurën e tij të re në Shkodër.
“KF Vllaznia ka kënaqësinë të njoftojnë arritjen e marrëveshjes me futbollistin Ildi Gruda. Sulmuesi shkodran ka firmosur tashmë kontratën dhe do të jetë pjesë e klubit tonë për tre vitet e ardhshme. Ai rikthehet në shtëpinë e tij dhe ne padyshim që i urojmë sa më shumë suksese me fanellën kuq e blu”, shkruan klubi shkodran.
23-vjeçari Gruda vlen të theksohet se si 18-vjeç kishte provuar veten edhe në Europë, duke luajtur me skuadrën e Valleta të Maltës, ndërsa në Shqipëri, kishte luajtur edhe me ekipin e Shënkollit. (infOSport.mk)