Ardian Nuhiu do të drejtojë Shkëndijën në sezonin e ri, i cili për strategun shkupjan nis me ndeshjet europiane në Ligën e Konferencës, njofton “infOSport.mk”. Tekniku 44 vjeçar me “kuqezinjtë” nga Tetova ka firmosur kontratë 2 vjeçare, me çka Nuhiu edhe zyrtarisht fillon punën si trajner i Shkëndijës.
“Ndjehem shumë mirë që jam këtu. Nëse si futbollist arrita që vitin e parë të fitojmë titull, atëherë edhe projekti të cilin e kemi shpalosur këto ditë që kemi biseduar me drejtuesit ka qenë realisht bindës. Personalisht jam gati për këtë sfidë të re. Do të ndërtohet një skuadër shumë e fortë për të qenë gati në sfidat në Evropë, pastaj të futemi në kampionat”, – është shprehur Ardian Nuhiu, pas firmosjes së kontratës me Shkëndijën, që edhe këtë edicion do na përfaqësojë në garat e Ligës së Konferencës.
Nuhiu te Shkëndija vjen pasi drejtoi për më shumë se tr evite e gjysmë skuadrën e Dritës së Gjilanit, me të cilët fitoi titullin kampion dhe Super Kupën, derisa kishte paraqitje pozitive edhe në Kupat e Evropës, ku nuk mund të harrohen ato sfida ndaj Fejenordit dhe Antverpenit. (infOSport.mk)