Penalltitë “flasin” spanjisht, Liga Europa “flet” spanjisht, pasi Sevilja fiton sërish (VIDEO)

Sevilja nuk gabon asnjëherë, kur është në pyetje trofeu i Liga Europa. Skuadra spanjolle ka fituar për të 7-tën herë këtë trofe, më shumë se çdo skuadër tjetër, duke mundur sonte në finalen e madhe italianët e Romës, edhe atë vetëm pas ekzekutimit të penaltive, pasi ndeshja në kohën e rregullt dhe pas 120 minutave lojë u mbyll me shifrat 1:1, njofton “infOSport.mk”.

Kështu penaltitë dolën të flasin spanjisht, pasi futbollistët e Seviljës ishin të pagabueshëm në këtë aspekt, duke shënuar në të gjitha 4 seritë me anë të Okampos, Lamela, Rakitiç dhe Montiel, derisa golin e vetëm pas tre penaltive të ekzekutuara për Romën e Murinjos, e realizoi Kristante, edhe atë që në serinë e parë.

Nuk shënuan dot Mançini dhe Ibanjez, duke bërë që Liga Europa edhe njëherë tjetër të flas spanjisht. Vlen të theksohet se është ky trofeu i 7-të që e fitojnë skuadrat spanjolle në 10 vitet e fundit, me Seviljën rekordere, që ka triumfuar plotë 5 herë.

NDESHJA

Ndeshja nisi mirë për “gladiatorët” e Hoze Murinjo, të cilët në minutën e 35-të përfituan nga një goditje dënimi e ekzekutuar me shpejtësi nga qendërmbrojtësi Xhanluka Mançini, që përfundoi në këmbët e argjentinasit Dybala, i cili ballë për ballë me portierin Bono nuk gabon duke e çuar topin në rrjetë, për rezultat 1:0.

Në pjesën e dytë, më saktësisht në minutën e 55-të vjen dhe kundërpërgjigja e spanjollëve, me aksionin që nisi nisi nga këmbët e “veteranit”, Hesus Navas, me spanjollin që dërgon një krosim fantastik në zonën e “romakëve”, aty ku Xhanluka Mançini i pozicionuar jo siç duhet, devijoi topin duke e çuar gabimisht në rrjetën e tij, për të barazuar në ato momente rezultatin në 1:1.

Pavarësisht dëshirës për të shënuar edhe në vijim të takimit, një gjë të tillë nuk arritën të bëjnë as njëra, e as skuadra tjetër, edhe pse më shumë nga loja kishte Sevilja, por nuk do të ishte befasi nëse edhe Roma do ta fitonte këtë ndeshje, pas asaj goditje me kokë në minutën e fundit të shtesës së dytë, kur vetëm travereza shpëtoi Seviljën, që lirisht mund të themi se është “Mbretëresha e Liga Europa”, dhe se edicionin e ri do të përfaqësojë Spanjën në Ligën e Kampionëve. (infOSport.mk)

Leave a Reply