Egzon Bejtullai me shumë gjasa sezonin e ri nuk do të luaj me fanellën e Shkëndijës. Kapitenit “kuqezi”, kontrata me skuadrën tetovare i përfundon në qershor të këtij viti, mirëpo e njëjta është vështirë të vazhdohet, ashtu që drejtuesit e skuadrës tetovare po mendojnë për zëvendësuesin e tij.
Informacione pranë “infOSport.mk” flasin se drejtuesit e Shkëndijës kanë bërë kontaktet e para me mbrojtësin e Akademia Pandev, Agron Rufati, mirëpo në transferimin e tij gisht mund të ketë edhe trajneri i ri që pritet të emërohet gjatë këtyre ditëve në krye të skuadrës tetovare.
Rufati sezonin e kaluar për herë të parë luajti në kampionatin tonë vendor, duke pranuar të veshë fanellën e Akademia Pandev, pasi si i lindur në Kroaci, pjesën më të madhe e kishte kaluar atje, duke luajtur fillimisht me të rinjët e Dinamo Zagreb, më pas me U19 të Lokomotivës së Zagrebit, për tu transferuar më pas tek seniorët e NK Istra.
Vitin 2020 pasoi një transferim në Ukrainë te skuadra e Zorya Lugansk, për të luajtur më pas edhe në Rumani me Academica Clinceni, nga e cila skuadër si lojtar i lirë të vijë janarin e këtij viti te Akademia Pandev.
Kujtojmë, Rufati ka qenë pjesë e ekipeve zinxhir të përfaqësueses së Maqedonisë, duke filluar nga ajo U18, U19 dhe U21, për të cilin kishte zhvilluar plotë 14 paraqitje, duke realizuar edhe një gol.
Me një transferim të mundshëm te Shkëndija, Rufatit ndoshta mund ti hapen dyert edhe për te përfaqësuesja A e Maqedonisë. (infOSport.mk)