Ardian Nuhiu flet ekskluzivisht për infOSport.mk rreth bisedimeve me Shkëndijën dhe interesimin e skuadrave tjera

Ardian Nuhiu është bërë TOP temë në opinionin sportiv në vendin tonë, teksa i njëjti lidhet me një angazhim të mundshëm te një ndër skuadrat më të fuqishme financiarisht, Shkëndija.

Ishim ne që nxorrëm të parin lajmin rreth fillimit të bisedimeve të Nuhiut me ish klubin e tij Shkëndijën, bisedime këto që ende vazhdojnë, por që kanë ngecur në një pikë.

“Siç e kam theksuar edhe më herët për ju si medium, jam në bisedime me Shkëndijën tashmë disa ditë. Të njëjtat vazhdojnë ende, mirëpo më duhet të pranoj se kemi ngecur me një pikë, ashtu që do presim ende të shohim se çfarë do ndodh” – u shpreh enkas për “infOSport.mk” strategu shkupjan, Nuhiu, për të cilin interes kanë shfaqur edhe disa skuadra tjera, si nga vendi, ashtu edhe nga rajoni.

“Është e vërtetë që ka interes edhe nga skuadra të tjera, por do të tregoj respekt maksimal për Shkëndijën  dhe drejtuesit e saj. Pa i mbyllur negociatat me këtë klub nuk do të futem në bisedime me asnjë skuadër tjetër. Vlerësoj se kjo është rruga më profesionale” – përfundoi Nuhiu intervistën me ne.

Kujtojmë, Nuhiu së fundmi ishte pjesë e Dritës së Gjilanit, me të cilën skuadër vitin 2020 ishte shpallur kampion i Kosovës, ndërsa për më tepër nuk harrohen ato paraqitje mbresëlënëse të skuadrës gjilanase në garat europiane, kur lëvdatat në adresë të strategut shkupjan vinin nga çdo anë. (infOSport.mk)

Leave a Reply