Presidenti i Federatës së Futbollit të Maqedonisë, Muamed Sejdini, pas përfundimit të sezonit garues 2022/2023, ka uruar FC Struga Trim Lumin me rastin e fitimit të titullit kampion në Ligën e Parë dhe Makedonija Gjorçe Petrovin për fitimin e trofeut të Kupës.
Pas fitimit të titullit në Ligën e Dytë dhe promovimit të FC Voska Sportit, KF Gostivarit dhe KF Vardarit në elitë, njeriu i parë i futbollit të Maqedonisë iu drejtua me një fjalim skuadrave që do të jenë pjesë e kampionatit më të mirë të futbollit vendor në sezonin e ardhshëm.
Njëkohësisht, Federata e Futbollit të Maqedonisë përcjell falemenderime deri te Ministria për Punë të Brendshme për bashkëpunimin e shkëlqyeshëm në të gjitha ndeshjet që kemi organizuar periudhën që lëmë pas, ndërsa falemenderim edhe për njerëzit që udhëheqin dhe mirëmbajnë stadiumet në të cilat u zhvilluan numër i madh i ndeshjeve muajin e fundit.
“Ju lutem pranoni urimet e mia më të ngrohta për rezultatet e arritura këtë sezon në kampionatet e futbollit të Maqedonisë. I shpreh urimet e mia më të ngrohta të gjithë futbollistëve, trajnerëve, personelit teknik dhe mjekësor, si dhe të gjithë tifozëve, sepse çdo pjesë e organizimit padyshim është e rëndësishme në fitoren e klubit.
Urime për Strugën për titullin historik, të parë kampion. Klubi ka vite që po rritet në fushë dhe tani ka arritur kulmin. Struga Trim Lum konfirmoi cilësinë këtë vit në futbollin tonë dhe kjo është rezultat i punës së mirë të stafit profesional, përzgjedhjes së mirë të futbollistëve dhe menaxhimit cilësor.
Makedonija Gjorçe Petrov befasoi shumë me rezultatet e arritura këtë sezon dhe fitimin e Kupës në vendin tonë. Besoj se do të vazhdojnë të punojnë dhe të funksionojnë në mënyrë të qëndrueshme, të vendosur dhe sipas planit. Jam i bindur se në të ardhmen do të punojnë pa u lodhur për të nxjerrë talent të rinj, diçka që përfaqëson vizionin e klubit dhe nuk kam dyshim se nga kjo do të përfitojë shumë edhe përfaqësuesja e Maqedonisë.
E rëndësishme është që ti mbështesim klubet tona në paraqitjet e tyre në Kupat e Europës. Ata kanë të drejtë të ëndërrojnë se mund të shkojnë larg në garat e UEFA-s. I urojmë fat të mirë dhe të përfaqësojnë fanellën e tyre dhe futbollin e Maqedonisë në Evropë me të njëjtin entuziazëm si më parë. Të gjithë përfaqësueseve të Maqedonisë në Kupat e Evropës, Strugës Trim Lum, Makedonija Gjorçe Petrovit, Shkëndijës dhe Shkupit, ju uroj short të mirë, shumë fat dhe suksese në ndeshjet në vijim.
Dëshiroj t’i përgëzoj anëtarët e rinj të Ligës së Parë, KF Voska Sport, KF Gostivarin dhe KF Vardarin. Shpresoj që edhe sezonin e ardhshëm të vazhdojnë sukseset në ndeshjet e kompeticionit më të mirë. Urime edhe Vardarit të Negotinës, Bashkimit, Teteksit, Novacit dhe Osogovës për sigurimin e pjesëmarrjes në Ligën e Dytë sezonin e ardhshëm.
Në fund, do të doja të falemenderoj gjithë personat e administratës së FFM-së të cilët ishin pjesë e organizimit të ndeshjeve dhe aktiviteteve që kemi realizuar periudhën që lëmë pas”.