Pasditën e nesërme në hapësirat e Federatës së Futbollit me fillim në ora 17:00 do të hidhet shorti, përmes të cilit do të mësojmë se cilat dy skuadra nga gjithsej tre që humbën ndeshjet e balotazhit, sezonin e ardhshëm do të plotësojnë dy vendet e fundit për në Ligën e Dytë, raporton “infOSport.mk”.
Kujtojmë, pjesë e shortit të nesërm janë tre skuadrat që pësuan disfata, Vëllazërimi, Novaci dhe Osogova. Këta të fundit pësuan disfatë të thellë 6:1 nga Teteksi, Vëllazërimi u mund 3:0 nga Bashkimi, ndërkohë Novaci u eliminua vetëm përmes penaltive nga skuadra e Vardar Negotinës, pasi ndeshja në kohën e rregullt ishte mbyllur me shifrat 1:1.
Kështu, vetëm përmes shortit do të dihet se cilat dy skuadra do të jenë me fat dhe edicionin e ri do të luajnë në Ligën e Dytë, derisa skuadra me më pak fat, edhe sezonin 2023/24 do të duhet të luaj në Ligën e tretë.