Klubi i Hendbollit Çair në konkurrencën e femrave, ka bërë një transferim bombastic për edicionin e ri në ellitën e hendbollit vendor, duke nënshkruar me hendbollisten e njohur turke, Sevda Özkan.
Bombarduesja me dorën e majtë, mund të luajë në dy pozicione, në pozicionin e krahut të djathtë dhe atë të mbrojtësit të djathtë.
Ajo ka lindur në qytetin e Bursës dhe pritet të sjellë cilësi dhe kualitet në rradhët e skuadrës shqiptare, që me mjaft sukses po garon në mesin e më të mirëve në hendbollin vendor tek femrat.
Me këtë transferim nga tabori i KHF Çair po dëshmojnë në seriozitetin e tyre si klub, që nga viti në vit po rrit ambiciet dhe po kërkon të bëjë një hap më shumë nga viti paraprak.
“Kjo dhe gjithçka tjetër tregon për seriozitetin e projektit të klubit tonë drejt sukseseve kulmore. Po ndërtojmë një skuadër superiore për sezonet e ardhshme dhe nënshkrimi i Sevda Ožkan është pjesë e synimit që skuadra të marrë përforcime cilësore në çdo pozitë” – thonë nga KHF Çair, që sezonin që lamë pas u renditen në pozitën e tretë.
Kujtojmë, ditë më parë skuadra e KHF Çair, angazhoi edhe Marija Galevskën, që erdhi nga akademia e Vardarit, ku ishte pjesë e asaj skuadre që nga liga pioniere deri në ligën e lartë tē seniorëve.